Një studim i ri ka rihapur debatin e vjetër mbi efektet e djathit në cilësinë e gjumit dhe shikimin e maktheve. Sipas kërkimeve të kryera nga kompania luksoze e gjumit The Odd Company, ngrënia e 30 gramë djathë para gjumit rrit me 93% mundësinë për të pasur ëndrra stresuese apo frikësuese.
Në studim morën pjesë 30 persona që konsumuan 4 lloje të njohura djathi– brie, cheddar, stilton dhe mozzarella – gjatë katër netëve. Djathi që shkaktoi më shumë makthe ishte brie, me 68% të pjesëmarrësve që përjetuan ëndrra të frikshme, i ndjekur nga stilton (63%), cheddar (56%) dhe mozzarella (40%).

Pjesëmarrësit raportuan ëndrra shqetësuese, si tradhti në marrëdhënie, takime të papritura me ish-partnerë, harresë në ditëlindje, sulme nga robotë fluturues dhe situata të sikletshme në një klasë. Përveç maktheve, konsumimi i djathit shkaktoi humbje mesatare prej më shumë se një ore gjumë për natë, me gratë që humbnin mesatarisht 5 minuta më shumë se burrat.
Dietologia Amie Alexander shpjegon se djathi, për shkak të përmbajtjes së yndyrnave të ngopura dhe proteinave, ngadalëson tretjen dhe rrit temperaturën e trupit, duke penguar arritjen e fazave të thella të gjumit. Për më tepër, djathi përmban triptofan dhe tiramine, substanca që ndikojnë në prodhimin e serotoninës dhe melatoninës, si dhe stimulojnë sistemin nervor, gjë që mund të intensifikojë ëndrrat gjatë fazës REM.