Sipas Bloomberg, Apple po shqyrton mundësinë për të blerë Perplexity AI, me qëllim forcimin e aftësive të saj në inteligjencën artificiale dhe ndërtimin e një motori kërkimi të bazuar në AI. Adrian Perica, shefi i blerjeve në Apple, ka diskutuar këtë ide me drejtues të lartë të kompanisë, përfshirë zëvëndës presidentin e shërbimeve, Eddy Cue. Edhe pse ende nuk është bërë një ofertë zyrtare dhe nuk ka pasur kontakt direkt me Perplexity, diskutimet e brendshme tregojnë një interes të qartë.
Një alternativë tjetër është krijimi i një partneriteti strategjik në vend të blerjes totale. Qëllimi, në të dyja rastet, është që teknologjia e Perplexity të integrohet në Siri dhe të krijohet një motor kërkimi i fuqizuar nga AI. Apple ka zhvilluar disa takime me Perplexity muajt e fundit, dhe ka diskutuar edhe për një integrim të mundshëm në Safari, siç u bë e ditur gjatë dëshmisë së Cue në çështjen gjyqësore ndaj Google për monopolin në motorët e kërkimit.
Aktualisht, Apple përfiton miliarda dollarë çdo vit nga marrëveshja me Google për të qenë motori i paracaktuar në iPhone – vetëm në vitin 2021, fitoi $18 miliardë. Nëse rregullatorët detyrojnë Apple të ndërpresë këtë bashkëpunim, blerja e Perplexity mund të jetë një zgjidhje për të zhvilluar një alternativë të qëndrueshme.
Për më tepër, kjo blerje do t’i siguronte Apple-it edhe talentin e nevojshëm në fushën e AI. Apple dhe Meta janë në garë për të rekrutuar ekspertë, përfshirë Daniel Gross, themelues i Safe Superintelligence Inc. Këto përpjekje tregojnë se Apple ka nevojë për ndihmë për të përmbushur ambiciet e saj në inteligjencën artificiale, veçanërisht pasi vonoi lançimin e një versioni më të avancuar të Siri.