Në ditët e sotme injektimi i botoksit për një pamje më tërheqëse është shumë i përdorur, prandaj ekspertët kanë kryer një studim për të kuptuar më mirë lidhjen midis tërheqjes shoqërore tek personat që kryejnë këtë trajtim. Studiuesit nga Universiteti Tilburg analizuan perceptimet e mbi 2,700 pjesëmarrësve, të cilëve iu shfaqën foto të njerëzve para dhe pas trajtimit me Botox.
Rezultatet treguan se personat me Botox u perceptuan si më tërheqës, më të rinj dhe më të shëndetshëm. Megjithatë, ndryshimi ishte minimal — vetëm 0.07 pikë në një shkallë prej 7 pikësh për sa i përket pamjes së jashtme.
Nga ana tjetër, lajmi nuk është i mirë për ata që shpresojnë të gjejnë një partner afatgjatë përmes këtij trajtimi. Studimi zbuloi se Botox rrit dëshirueshmërinë për aventura të shkurtra dhe miqësi platonike, por nuk ndikon pozitivisht në perceptimin për lidhje afatgjata.

Botoksi është një trajtim që përdor një neurotoksinë që paralizon përkohësisht muskujt dhe ka përdorime mjekësore të shumta, por është më i njohur për efektet kozmetike, si reduktimi i rrudhave në ballë, rreth syve dhe qafë.
Në pjesën e dytë të studimit, 481 pjesëmarrës vlerësuan 81 persona para dhe pas trajtimit. Botoksi rezultoi se rrit interesin për lidhje të shkurtra, por jo për lidhje serioze. Po ashtu, nuk pati ndikim në perceptimin për kompetencë, inteligjencë, karizëm, miqësi apo besueshmëri.
Sipas Dr. Bastian Jaeger, shumë njerëz i nënshtrohen këtyre trajtimeve për t’u dukur më tërheqës apo karizmatikë, por efektet reale janë më të vogla sesa mendohet. Ai thekson se faktorë të tjerë si make-up apo buzëqeshja kanë ndikim shumë më të madh në perceptimin e tërheqjes.
Për më tepër, përmirësimet në jetën shoqërore pas Botox mund të lidhen më shumë me rritjen e vetëbesimit sesa me ndryshimin real në pamje.