Sipas një raportimi të ri nga studiuesi i sigurisë kibernetike Jeremiah Fowler, mbi 184 milionë fjalëkalime janë komprometuar në një rrjedhje të madhe të dhënash. Ironikisht, baza e të dhënave që përmbante këto kredenciale ishte vetë e pambrojtur me fjalëkalim, sipas Website Planet.
Foëler zbuloi një bazë të dhënash të hapur dhe të paenkriptuar me mbi 184 milionë login-e dhe fjalëkalime për faqe dhe aplikacione të njohura si Google, Microsoft, Facebook, Instagram, Snapchat, madje edhe për lojën Roblox. Të dhëna të ndjeshme nga llogarira bankare, shërbime shëndetësore dhe portale qeveritare u gjetën gjithashtu.
Ndërkohë që disa kompani, si Snapchat, deklaruan se nuk kanë identifikuar asnjë cenueshmëri në sistemet e tyre, Fowler beson se baza e të dhënave është mbledhur përmes infostealer malware – programe keqdashëse që vjedhin informacione nga pajisjet e infektuara. Këto viruse mund të marrin të dhëna nga shfletuesit, email-et, dokumentet dhe aplikacionet e mesazheve.

Ky incident ndjek rrjedhje të mëparshme të mëdha si “RockYou2024”, që përmbante afro 10 miliardë kredenciale. Të tilla rrjedhje i japin hakerëve mjetet për sulme të automatizuara si brute force, duke e rritur ndjeshëm rrezikun për përdoruesit.
Nëpërmjet këtij artikulli Geek Room shfrytëzon mundësinë të këshillojë ndjekësit të ndërrojnë vazhdimisht fjalëkalimet në adresat e tyre si dhe të aktivizojnë 2-factor authentication për të rritur sigurinë e të dhënave personale në botën virtuale.