Sistemi satelitor i navigimit BeiDou, alternativa kineze ndaj GPS-it amerikan, po forcon gjithnjë e më shumë pozicionin e tij në tregun vendas dhe në sektorin e teknologjisë. Vetëm në vitin 2024, ky sistem gjeneroi një ndikim ekonomik prej rreth $79.9 miliardë, duke shënuar një rritje prej 7.39% krahasuar me një vit më parë, sipas Shoqatës Kineze për GNSS dhe LBS.
BeiDou është integruar në 288 milionë smartphone, kryesisht të markave kineze si Huawei dhe Xiaomi, dhe përdoret për të gjurmuar vendndodhjen mbi 1 trilion herë në ditë. Aplikacionet kryesore të navigimit në Kinë, si Baidu Maps dhe Amap, përdorin sistemin për të udhëhequr përdoruesit në një total prej 4 miliardë kilometrash në ditë.
Kjo rritje është pjesë e strategjisë së Kinës për të reduktuar varësinë nga sistemet perëndimore në kohë tensionesh gjeopolitike. Për të zgjeruar përdorimin, BeiDou tani ofron mbështetje jo vetëm për telefonat dhe sistemet e navigimit në makina, por edhe për ora inteligjente, dronë, biçikleta elektrike dhe robotë.

Për shkak të arsyeve të sigurisë kombëtare, përdorimi i GPS-it është kufizuar në disa pajisje kineze, sidomos për agjencitë qeveritare apo entet ushtarake. Disa smartphone – përfshirë iPhone – mbështesin të dyja sistemet, duke zgjedhur automatikisht sinjalin më të mirë.
Zhvillimi i BeiDou ka nxitur investime edhe në industri të lidhura, si prodhimi i çipave, algoritmave, pajisjeve tokësore dhe infrastrukturës së satelitëve. Kina synon ta përditësojë të gjithë konstelacionin e saj satelitor deri në vitin 2035, me satelitë të gjeneratës së re që ofrojnë pozicionim në kohë reale me saktësi deri në 1 centimetër. Këto satelitë do të mbulojnë edhe përdorime specifike si eksplorimi në thellësi të detit dhe fluturimet në lartësi shumë të mëdha.
Në skenën ndërkombëtare, Kina po e zgjeron përdorimin e BeiDou në Azinë Juglindore duke e promovuar si një alternativë të fuqishme dhe të besueshme ndaj GPS-it.