Nëse dëshironi të përdorni një smartphone super të hollë ju nuk keni pse të prisni deri në prezantimin e iPhone 17 Air, pasi Samsung ka prezantuar zyrtarisht Samsung Galaxy S25 Edge, i cili është versioni më i hollë në serinë S25, duke ruajtur shumë nga veçoritë kryesore të modelit S25 Plus si ekrani OLED 6.7 inç, procesori Snapdragon 8 Elite për Galaxy dhe funksionalitetet me inteligjencë artificiale.
Me një trashësi prej vetëm 5.8 mm dhe peshë 163 gram, Edge është ndër telefonat më të hollë dhe më të lehtë tradicionalë që ka prodhuar Samsung vitet e fundit. Pavarësisht dizajnit të hijshëm, kompromiset janë të dukshme. Kamera e pasme ka vetëm dy lente dhe mungon zmadhimi optik, edhe pse sensori kryesor prej 200MP është i njëjtë me atë të modelit Ultra, duke premtuar cilësi të lartë fotografike, por me më pak fleksibilitet.

Megjithatë, për të arritur këtë dizajn të hollë, janë bërë disa sakrifica: mungon lentja telefoto dhe bateria është më e vogël, 3,900 mAh.
Sigurisht kjo ishte e nevojshme për ta bërë smartphone-in sa më të hollë të mundshëm: me kapacitet 3,900mAh, është më e vogla në serinë S25, dhe me një ekran të madh për të ushqyer, nuk pritet të ketë jetëgjatësi më të mirë se modelet e tjera. Samsung pretendon se ofron deri në 24 orë riprodhim video, por në krahasim me 29-30 orë që premtojnë modelet S25 dhe Plus, kjo është një rënie e ndjeshme. Optimizimet softuerike do të ndihmojnë gjithashtu në përdorimin e smartphone-it.

Sidoqoftë, qëndrueshmëria është e lartë: Edge ka kornizë titani si modeli Ultra, xham Gorilla Glass Ceramic 2 dhe certifikim IP68 për rezistencë ndaj ujit dhe pluhurit. Çmimi fillon nga $1,099.99 për 256GB dhe $1,219.99 për 512GB — më shumë se S25 Plus, por më pak se Ultra.
S25 Edge është një smartphone që vë dizajnin para funksionalitetit. Është i përshtatshëm për ata që duan diçka të hollë dhe të lehtë, por me sakrifica të rëndësishme në kamera dhe bateri.