Këshilli Shqiptar për Teknologjinë dhe Inovacionin (ACTI), prezantoi ACT NOW 2025, një event ekskluziv që sjell së bashku liderë të teknologjisë, inovacionit dhe sipërmarrjes. Eventi do të nderohet nga pjesëmarrja e përfaqësuesve dhe folësve nga kompanitë prestigjoze të teknologjisë si Microsoft, Dell, Oracle etj, kompani inovative, investitorë, sipërmarrës të suksesshëm, përfaqësues të institucioneve kyçe që ndajnë të njëjtin vizion me këtë platformë si edhe shumë të tjerë që pritet të zbulohen në vijim.
ACT NOW 2025 që pritet të zhvillohet në Tiranë në maj premton një konferencë të veçantë që pritet të hedhë themelet për një rrugëtim të përvitshëm, që do të ketë si mision theksimin e rolit të Shqipërisë si një qendër e dedikuar inovacioni dhe teknologjie dhe të nxisë bashkëpunimin përtej kufijve mes liderëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, dhe Kroacia, rajoni e më gjerë.
ACT NOW do të nisë më datë 29 maj, me një mbrëmje rrjetëzimi e cila do të jetë ekskluzive për të ftuarit, si hyrja e parë drejt atmosferës së ACT NOW 2025 për aktivitetet që do të vijojnë.
Konferenca e cila do të jetë ngjarja qendrore e ACT NOW 2025, do të mbahet më datë 30 maj dhe do të ofrojë një sërë aktivitetesh me tematika si: “Quantum-ready world”, “Digital Trust”, “Startups & Scaleups” me folës të klasit botëror, rajonal si dhe nga përfaqësues të kompanive të mëdha dhe me impakt në transformimin e teknologjisë, panele diskutimi me ekspertë, punëtori, sfida, çmime si edhe një seri eventesh ekskluzive për rrjetëzim mes të pranishmëve që ndajnë të njëjtin vizion.
Në ACT NOW 2025 do të flitet për teknologji të reja, inovacion, transformime digjitale, inteligjencën artificiale, rritje startupesh dhe rrugën e së ardhmes të Shqipërisë drejt digjitalizimit.
Për të gjithë të apasionuarit pas sigurisë kibernetike, eventi do të ofrojë Cyber Drill Challenge, një sfidë dinamike dhe emocionuese që ofron mundësinë për të testuar aftësitë në mbrojtjen e botës digjitale. Pjesëmarrësit si profesionistë, studentë, dhe të apasionuar pas sigurisë kibernetike do të sfidohen në një seri aktivitetesh dhe skenarë të avancuar kibernetikë, duke mësuar dhe praktikuar strategji të sigurisë digjitale në kohë reale.
Konferenca do të ndiqet nga një ceremoni ekskluzive çmimesh për bizneset dhe projektet më inovative dhe me impakt nga Shqipëria dhe Diaspora. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë aplikantët e përzgjedhur nga juria e ACT NOW 2025. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, fituesi i ACT NOW Grand Prize do të mbështetet me një shumë prej 50,000 Euro për projektin më inovativ. Në këtë ceremoni do të vlerësohet gjithashtu projekti rinor më origjinal dhe inovativ dhe ekipi fitues i Cyber Drill Challenge.
Më datë 31 maj, ACT NOW 2025 do të përmbyllet me një konferencë për shtyp, ku do të reflektohet mbi arritjet e eventit, do të ndahen momentet më të veçanta dhe do të analizohet ndikimi që kjo ngjarje do të sjellë në ekosistemin e inovacionit dhe teknologjisë në Shqipëri, duke hapur rrugën për mundësi të reja dhe bashkëpunime të fuqishme.
ACT NOW nuk është thjesht një konferencë por një lëvizje për të vendosur rajonin tonë fuqishëm në hartën globale të teknologjisë.
Për t’u bërë pjesë e konferencës së datës 30 maj dhe/ose për të konkurruar për çmimet, të interesuarit duhet të regjistrohen në faqen zyrtare të ACT NOW. Aplikimet për çmimet do të pranohen deri më datë 10 maj 2025.