Transmetimi i lojërave kompjuterike në pajisjen tuaj Android nuk është një ide që po shfaqet për herë të parë, por shërbimi i ri “PC Remote Play“ i Razer ka një përmirësim të mirëpritur me aftësinë për të transmetuar lojëra në rezolucionin e ekranit të pajisjes tuaj celulare, pra duke e përshtatur pa shfaqjen e shiritave të zinj.
Shumica e shërbimeve të transmetimit të lojërave kompjuterike e marrin lojën nga kompjuteri juaj përmes të njëjtit rrjet që jeni lidhur (ose përmes infrastrukturës së cloud kompjuterik, në disa raste), por shpesh me kufizimin që ajo të transmetohet në të njëjtën rezolucion si monitori juaj, ose në një raport tipik 16:9.
Dhe pse loja është funksionale në këtë mënyrë , në smartphone-in tuaj shfaqen gjithmonë shirita të zinj që zvogëlojnë pamjen e lojës, pasi shumica e telefonave modernë dhe madje edhe tabletëve nuk përshtaten në ato raporte të pamjes.

Razer duket se do ta rregullojë këtë me shërbimin e tij PC Remote Play, për të cilin kompania shpjegon se është në gjendje të shfrytëzojë “frame-rate dhe rezolucionin maksimal të smartphone-it tuaj ” për të transmetuar lojëra “pa shirita të zinj“. Shërbimi u prezantua fillimisht në një version beta në fillim të këtij viti, por tani është gjerësisht i disponueshëm.
Përfitimet e tjera të PC Remote Play përfshijnë integrimin e përmirësuar me controller-in Razer Kishi, aftësinë për të luajtur lojëra nga Steam, Epic Games Store dhe PC Game Pass dhe përdorimin e kodekut AV1 për të ofruar transmetim me cilësi të lartë me vonesë të ulët.
Razer ka ofruar PC Remote Play si pjesë e aplikacionit të tij Razer Cortex në Windows. Përdoruesit mund të transmetojnë në pajisjen e tyre celulare përmes Razer Nexus ose aplikacionet e dedikuara Razer PC Remote Play në Android 14 e lart dhe iOS 18 e lart.