Instagram tani do t’ju lejojë të ngarkoni Reels që janë të gjata deri në 3 minuta, duke dyfishuar kufirin prej 90 sekondash që platforma kishte më parë, njoftoi shefi i Instagram Adam Mosseri.
Ai vlerëson ndryshimin e sotëm me reagimet e përdoruesve duke thënë se 90 sekondat “janë shumë të shkurtra“. Kjo është një kthesë e madhe për Mosseri, i cili tha në korrik të vitit të kaluar se platforma nuk do të lejonte video të gjata sepse mund të rrezikonte “identitetin thelbësor të platformës për të lidhur njerëzit me miqtë“.
Megjithatë ky vendim është disi i influencuar dhe nga situata e TikTok, e cila fillimisht u ndalua të funksiononte në SHBA gjatë ditës së djeshme, megjithatë pas ndërhyrjeve të Donald Trump platforma u rikthye sërish. TikTok ofroi për herë të parë mundësinë për të publikuar video deri në 3 minuta të gjata në vitin 2021.
Instagram ka vendosur që të rrisë me një hap të ngadaltë kufirin maksimal të gjatësisë së videove – ka më shumë se dy vjet që kur filloi të lejojë video 1 minutë e gjysmë. Kompania ka testuar zgjatjen e kufirit deri në 10 minuta, por nuk e ka prezantuar ende këtë ndryshim, duke e lënë mundësinë për të postuar video të gjata tek postimet jo-Reels.