Pas ofrimit të përditësimeve të dizajnit dhe veçorive të reja në aplikacionin celular, YouTube po teston një shërbim të ri “Play Something“.
Ky shërbim do të shfaqet në formën e një butoni që lundron në cepin e djathtë të ekranit me tekst të bardhë në një sfond të zi që bie shumë në sy. Nëse ju prekni këtë buton, YouTube fillon të luajë një video në Shorts. Megjithatë, kjo nuk është ekskluzive për “YouTube Shorts” dhe do të luajë përmbajtje të rregullt me butona të mëdhenj për like, dislike, komentet dhe shpërndarjen.
Kur shërbimi miniplayer është aktiv, butoni Play Something do të zhduket.
Përdorimi i një butoni për të zgjedhur një përmbajtje kur ju nuk dini se çfarë të shikoni është interesant, por ka kuptim tematik pasi ju lejon të ndiqni përmbajtjet më kryesore të shpërndara në aplikacion. Algoritmi i YouTube do të ndihmojë në këtë rast për të luajtur një video me tematika në të cilat ju jeni të interesuar.
YouTube e ka testuar këtë veçori që nga viti i kaluar, por ky raport më i fundit i Play Something vjen nga versioni 19.50 për Android.
Netflix ka gjithashtu një buton të ngjashëm me emrin “Play Something” që u shfaq në vitin 2021, i cili shfaq filma apo seriale që nuk i keni parë kurrë më parë. Kjo veçori ju shpëton shumë herë nga kërkimi pafund nëpër bibliotekën e Netflix dhe duket sikur edhe YouTube do të bëjë të njëjtën gjë.