Prodhuesi britanik i makinave luksoze Jaguar ka prezantuar konceptin e ri tërësisht elektrik Type 00, disa ditë pas ribrandimit të shumë diskutuar. Prodhuesi tha se “po prezantonte një manifestim fizik të pagabueshëm, të papritur dhe dramatik të Jaguar, ndërsa marka vazhdon transformimin e saj“, në një deklaratë pas prezantimit të makinës në Javën e Artit në Miami.
Type 00 ka një trup të gjatë dhe një profil fastback, si dhe rrota 23 inç. Makina tërësisht elektrike e Jaguar do të vijë në dy ngjyra: Miami Pink dhe London Blue. “E para pasqyron mjedisin ikonik të Art Deco-s të zbulimit të saj, e dyta i referohet trashëgimisë së saj britanike”, tha Jaguar. Type 00 është ende një koncept dhe për këtë arsye mund të mos hyjë kurrë në prodhim.
Komentuesit kishin opinione të ndryshme rreth pamjes së makinës. Disa prej tyre mendonin se ky koncept dukej jashtëzakonisht i bukur, ndërsa të tjerët mendonin se pamja ishte skandaloze.
Më parë Jaguar ka prezantuar planet për t’u shndërruar në një brand tërësisht elektrik i fokusuar në automjetet luksoze, por evolucioni do të shkojë më tej se kaq. “Ky tranzicion shtrihet përtej produkteve të dizajnuara dhe inxhinierëve të Jaguar; përfaqëson një ribrandim të plotë të kompanisë,” tha prodhuesi i automjeteve.
Identiteti i ri i markës i cili u prezantua gjatë nëntorit ka ngjallur shumë debate në internet. Prodhuesi 102-vjeçar i makinave luksoze po zëvendëson logon e tij të mëparshme, me një të re që supozohet të jetë një “festim i fuqishëm i modernizmit“, njoftoi kompania më 18 nëntor.
Ndryshime të tjera në markën e Jaguar përfshijnë një logo të ridizajnuar, të quajtur “Leaper”. Makina e parë e prodhuar nën drejtimin e ri të Jaguar do të jetë një Grand Tourer elektrike me katër dyer, i cili do të ndërtohet në Mbretërinë e Bashkuar në fund të vitit 2025.