Instagram njoftoi të premten një përditësim për DMs, e cila do të përmirësojë përvojën për ata që marrin shumë mesazhe hyrëse, si krijuesit dhe influencers.
Tani, aplikacioni po prezanton mjete që do t’i lejojnë përdoruesit të renditin dhe filtrojnë “message requests” – pra mesazhet që nuk shfaqen në hapësirën kryesore, bazuar në cilësimet e vendosura nga përdoruesi.
Në këtë mënyrë “message requests” do të mund të renditen sipas numrit të ndjekësve, llogarive të verifikuara, markave, krijuesve dhe faktorëve të tjerë. Kjo do ta ndihmojë krijuesin të identifikojë më lehtë ato mesazhe me përparësi më të lartë që mund të ndikojnë në biznesin dhe marrëdhëniet e përdoruesve.
Përveç kësaj, do të shtohet një kategori e re “Story replies” duke i vendosur të gjitha përgjigjet nga Stories në një hapësirë të vetme. Kompania tha se ndryshimet po prezantohen pasi dëgjoi komentet nga krijuesit në mbarë botën që tregonin se sa i vështirë mund të jetë menaxhimi i DM-ve të tyre.
“Tani kur shkoni në message requests, ndonjëherë mund të jetë vërtet e rrëmujshme”, tha kreu i Instagram Adam Mosseri, në një postim në rrjetin social. “Pra, ajo që kemi bërë është shtimi i mënyrave për të filtruar ato kërkesa për të parë ato që ju po kërkoni,” vazhdoi ai. “Ka shumë më tepër për të bërë për të përmirësuar kutinë hyrëse për krijuesit dhe kërkesat,” pranoi Mosseri. “Por shpresojmë se ky është një hap në drejtimin e duhur.”