Google ka vendosur një afat urgjent për të gjithë përdoruesit e Gmail, pasi kompania mund të fshijë llogarinë tuaj muajin e ardhshëm. Google ka konfirmuar se llogaritë do të fillojnë të fshihen muajin e ardhshëm nëse përdoruesit nuk ndjekin disa këshilla të thjeshta.
Politika e re u njoftua në fillim të këtij viti ku kompania tregoi se do të niste fshirjen e llogarive në dhjetor 2023. Nëse përdorni llogaritë tuaja Gmail, Docs, Calendar dhe Photos rregullisht, nuk do të keni pse të shqetësoheni pasi nuk do të ndikoheni nga ky vendim.
“Nëse një llogari Google nuk është përdorur ose nuk është identifikuar për të paktën 2 vjet, ne mund ta fshijmë llogarinë dhe përmbajtjen e saj – duke përfshirë përmbajtjen brenda Google Workspace (Gmail, Docs, Drive, Meet, Calendar dhe Google Photos),” tregoi gjiganti i teknologjisë përmes një postimi në blog. “Përpara fshirjes së një llogarie, ne do të dërgojmë njoftime të shumta gjatë muajve para fshirjes, si në adresën e emailit të llogarisë ashtu edhe në emailin e rikuperimit (nëse është vendosur një i tillë)“, konfirmoi Google.
Kompania thotë se ndryshimi është bërë për qëllime sigurie. Llogaritë e vjetra dhe joaktive kanë shumë më tepër gjasa të jenë në shënjestër të mashtruesve. “Nëse një llogari nuk është përdorur për një periudhë të gjatë kohore, ka më shumë gjasa të komprometohet,” paralajmëroi Google gjithashtu. “Kjo është për shkak se llogaritë e harruara ose të pambikëqyrura shpesh mbështeten në fjalëkalime të vjetra ose të ripërdorura që mund të jenë komprometuar, dhe nuk kanë aktivizuar two-factor authentication.”