Shefi i të drejtave dixhitale të BE-së paralajmëroi pronarin e X, Elon Musk, se dezinformatat rreth luftës që shfaqen në këtë platformë janë në shkelje me ligjet e BE-së.
Platforma e mediave sociale X, e njohur më parë si Twitter, thotë se po lufton vazhdimisht shpërndarjen e postimeve me pamje të forta, si dhe fjalime plot urrejte që lidhen me luftën Izrael-Hamas.
Megjithatë puna e X nuk duket të jetë aq e mirë sa reklamohet, pasi një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian, i ka vendosur miliarderit Elon Musk një ultimatum 24-orësh për të respektuar Aktin e Shërbimeve Dixhitale. Grupet mbikëqyrëse të jashtme thanë se dezinformatat rreth luftës janë shumë të pranishme në platformë, ndoshta dhe për shkak se shumë punonjës të kompanisë, të cilët merreshin me moderimin e përmbajtjeve u pushuan nga puna pas blerjes së Twitter nga Musk.
Imazhet e rreme dhe të manipuluara që qarkullojnë në X përfshijnë “imazhe të vjetra të ripërdorura të konflikteve të armatosura që nuk kanë lidhje me situatën reale ose pamjet ushtarake që në fakt e kanë origjinën nga video lojërat“, thuhej në një letër drejtuar Musk nga komisioneri evropian Thierry Breton.
“Ky duket të jetë një informacion haptazi i rremë ose mashtrues“. Breton, shefi i të drejtave dixhitale të BE-së, paralajmëroi gjithashtu Musk në letrën e postuar në X, se autoritetet kanë zbuluar “përmbajtje potencialisht të paligjshme” që mund të shkelin ligjet e BE-së dhe se stafi i X “duhet të jetë në kohë, i zellshëm dhe objektiv” në moderimin e përmbajtjeve.