Apple nuk ka prezantuar ende një pajisje të palosshme, duke mbetur kështu pas rivalëve si Samsung apo Motorola, megjithatë kompania mund të shmangë plotësisht këtë kategori smartphone-sh për të prezantuar një smartphone me ekran të rrotullueshëm.
Një gjë e tillë dyshohet nga aplikimet për patentim që kompania ka bërë gjatë kohëve të fundit. iPhone-i me ekran të rrotullueshëm do të ketë një shtresë xhami mbrojtës në të gjithë gjatësinë e ekranit për ta mbrojtur atë nga gërvishtjet apo dëmtimet e tjera. Gjithashtu mundet që në ekran të ketë dhe shtresa të tjera kundër reflektimit.
“Një pajisje elektronike mund të ketë një ekran të rrotullueshëm. Ekrani mund të lëvizet midis gjendjes plotësisht të hapur ku ekrani është i drejtë ose në një pozicion ku ekrani rrotullohet në hapësirën përkatëse,” lexohet në patentim.
Kjo nuk është hera e parë që Apple aplikon për patentimin e një produkti me ekran të rrotullueshëm, pasi dhe në vitin 2020 bëri një patentim për një pajisje me koncept të ngjashëm.
Sigurisht kjo gjë mund të emocionojë shumë fansa “besnikë” të Apple, të cilët po presin prej kohësh që Apple të prezantojë smartphone me një dizajn të ri, mirëpo nuk është ende e konfirmuar që një produkt i tillë do të prodhohet nga kompania.
Siç e dimë, shpesh herë produktet e patentuara nga kompanitë shërbejnë si një model bazë për zhvillimin e produkteve të tjera, dhe nuk prezantohen asnjëherë zyrtarisht.