Threads do të shtojë një home feed alternativ si pjesë e një serie përditësimesh në aplikacionin e ri të mediave sociale pas dëgjimit të ankesave të përdoruesve.
Drejtuesi i Instagramit, Adam Mosseri tha se aktualisht po punohet për krijimin e një feed-i të ri për Threads që tregon postimet në rend kronologjik. Përdoruesit duan të shohin postimet nga llogaritë që ndjekin në vend të postimeve që zgjidhen nga algoritmi i Threads.
Z. Mosseri tha se ky feed i ri ishte prej kohësh “në listën” e përmirësimeve në Threads. Meta, e cila zotëron Threads, Instagram dhe Facebook, lançoi rrjetin e ri social javën e kaluar, dhe tani ky aplikacion po përdoret nga më shumë se 100 milionë përdorues.
Mosseri tha se Mark Zuckerberg, shefi ekzekutiv i Meta, e kishte përshëndetur shtimin e këtij shërbimi të ri, pasi një numër i madh përdoruesish shprehën zhgënjimin që nuk iu ofrohej një feed i tillë me postime nga njerëzit që ndjekin, sipas rendit në të cilin ishin postuar.
Ndër shërbimet e tjera që janë në listën e Mosseri përfshihen: aftësia për të edituar postimet, përkthimi në gjuhë të ndryshme, si dhe lehtësimi i kalimit midis llogarive të ndryshme në Threads
Ju mund të aksesoni Threads dhe nga web përmes Threads.net, mirëpo në të vërtetë nuk ka një ndërfaqje për desktop, dhe ju nuk mund të postoni nga web-i. Kjo gjë pritet të rregullohet në përmirësimin e rradhës të Threads, së bashku me shtimin e një opsioni kërkimi në aplikacion.