Përmes një postimi në Samsung community website, kompania tregoi se disa shërbime të përfshira në kamerat e serisë Galaxy S23 do të vijnë drejt pajisjeve më të vjetra.
Një ndër to është dhe Image Clipper, një shërbim që lejon heqjen e objekteve apo subjekteve nga fotot dhe shpërndarjen e tyre në një vend tjetër. Ky shërbim mund të aktivizohet duke mbajtur shtypur në fotografi subjektin që dëshironi të hiqni nga imazhi apo videot. Image Clipper do të vijë së shpejti në seritë S20, Note 20, S21, S22, si dhe në Galaxy Z Fold 2, 3 dhe 4 apo Galaxy Z Flip 3 dhe 4.
Një tjetër shërbim që do të vijë në Galaxy Z Fold 4, Z Flip 4 dhe Galaxy S22 është 300x Astro Hyperlapse. Ky shërbim mund të përdoret për të shkrepur timelapse të mahnitshme të qiellit gjatë natës. Në serinë S22 dhe Z Fold 4 do të ofrohet dhe suporti në kameran selfie për Expert RAW, Pro dhe Pro Video settings.
“One UI 5.1 zgjerohet mbi shërbimet e sapo prezantuara të kameras në serinë Galaxy S23. Tashmë përdoruesit e smartphone-ve Galaxy kanë aftësinë të krijojnë fotografi me cilësi profesionale duke përdorur shërbimet Expert RAW të integruara në aplikacionin Galaxy Camera.
Mjafton të selektoni ‘More’ për të shkrepur fotografi me cilësi të lartë në formatin raw.” tregon kompania.