ChatGPT ka nisur të integrohet në shumë fusha të ndryshme, dhe ishte vetëm një çështje kohe para se ky inovacion të vinte dhe në orat smart.
Prodhuesi i orave smart Amazfit publikoi një video të orës Amazfit GTR4 ku ishte aktivizuar një version i ChatGPT i quajtur “ChatGenius”. Në këtë demo të postuar në LinkedIn, përdoruesi pyet pajisjen se “si mund të përmirësojë performancën e tij të vrapimit?”, dhe vetëm pak sekonda më vonë mund të shikohet se si gjenerohet një përgjigje e shkruar nga inteligjenca artificiale.
Deri më tani ka shumë pak detaje në lidhje me funksionalitetin e ChatGPT në modelin GTR4, por mund të themi me plot bindje se ky është smartëatch i parë i cili ka arritur të integrojë chatbot-in e OpenAI. Megjithatë në Apple Watches ekziston dhe një aplikacion i palës së tretë i quajtur WatchGPT që kryen një funksion të ngjashëm.
Në rastin konkret, AI jep disa këshilla bazë shëndetësore si përshembull “Fokusohu në të ushqyerit dhe hidratimin e nevojshëm” në vend të këshillave më specifike. Megjithatë, nëse përgjigjet e AI do të gjenerohen në bazë të të dhënave të secilit prej përdoruesve, do të ishte një arritje shumë e madhe.