CEO i Google Cloud, Thomas Kurian u zotua nëpërmjet një deklarate të ashpër gjatë muajit të kaluar se do të arrinte të krijonte “aftësitë më të mira në inteligjencën artificiale” dhe mblodhi punonjësit për t’i motivuar ndërkohë që konkurentët kritikonin punën e tyre.
Përgjatë një bledhje të brendshme, Kurian tha se konkurentët po sulmonin vazhdimisht punën e Google në hapësirën AI duke i ulur vlerën kompanisë. Me shumë mundësi Kurian po i referohet krijuesit të ChatGPT, OpenAI, pasi CEO i kësaj kompanie Sam Altman e quajti Google “një monopol kërkimi letargjik”.
Kurian shtoi se është ende herët në garën për produktin më të mirë AI dhe nxiti punonjësit e tij të punojnë si një ekip, pasi ky mund të jetë një moment historik në sektorin e teknologjisë. Momentalisht CEO i Google Cloud mendon se jemi “në mesin e historisë” dhe i kërkoi punonjësve të “punojnë së bashku si një ekip dhe ta bëjnë Google të suksesshëm për përdoruesit e kompanisë”.
Komentet e Kurian reflektojnë presionin që Google ndjen për prezantimin e chatbot-it të tyre. Rritja e shpejtë e ChatGPT e ka vendosur Google në një pozicion të vështirë, pasi Microsoft ka përdorur teknologjinë e OpenAI për të fuqizuar motorin e kërkimit Bing.