Meta ka prezantuar gjatë ditës së sotme një shërbim të ri të quajtur Meta Verified që do të lejojë përdoruesit të zotërojnë shenjën blu të verifikimt në adresën e tyre në Facebook ose Instagram kundrejt një pagese mujore. Kjo gjë u bë e ditur nga vetë CEO Mark Zuckerberg.
Fillimisht ky shërbim do të prezantohet në Zelandën e Re dhe në Australi gjatë kësaj jave, me një çmim që nis nga $11.99 për të gjithë personat që abonohen nga web, dhe $14.99 nëse ky abonim kryhet në iOS (kompani nuk ka bërë të ditur ende se kur ky abonim do të mund të kryhet nga pajisjet Android).
Meta Verified është një abonim që përfshin:
• Një logo verifikimi blu
• Shërbim klienti për problemet më të zakonshme
• Monitorimi aktiv i profileve fake
• Prioritizimi për profilet Meta Verified në komentet e të tjerëve
• Rekomandime në faqen Explore dhe Reels në Instagram
• Stickers ekskluzive në Story
Meta do të lejojë përdoruesit të verifikohen duke përdorur kartën e tyre të identitetit. Kompania shtoi se abonimi në këtë plan do të rrisë shikueshmërinë e adresave, mbrojtje ndaj tentativave për vjedhjen e identitetit të këtyre përdoruesve si dhe akses direkt me shërbimin e klientëve.
“Meta Verified është një shërbim që ka si qëllim rritjen e vërtetësisë dhe sigurisë në shërbimet që ne ofrojmë.” tha Mark Zuckerberg në një postim në Facebook. “Së shpejti ky shërbim do të jetë i pranishëm në më shumë shtete.”
Zuckerberg mendon se kjo është një mënyrë mjaft e mirë për të rritur përfitimet e kompanisë, e cila gjatë kohëve të fundit ka hasur shumë vështirësi. Gjithçka nisi me shërbimin e ri për privatësinë e përdoruesve të prezantuar nga Apple. Kjo lëvizje bëri që Meta të humbte $10 miliardë fitime nga reklamat.