MediaTek ka prezantuar një proçesor të ri për smartphone-t midrange, Dimensity 7200. Ky proçesor është zhvilluar nga një proçes 4nm TSMC të ngjashëm me proçesorin flagship Dimensity 9200 dhe premton shërbime të reja të përmirësimit të fotografive, optimizime të fuqishme për gaming në smartphone, përmirësime të shpejtësisë së rrjetit 5G si dhe jetëgjatësi të përmirësuar të baterisë.
Dimensity 7200 është ndërtuar mbi dy cores të fuqishme Arm Cortex-A715, që premtojnë shpejtësi deri në 2.8GHz, si dhe 6 cores Cortex-A510. Këto janë të mbështetura dhe nga AI Processing Unit, që njihet ndryshe si MediaTek APU 650, i cili përmirëson funksionimin e AI në smartphone.
Gjatë prezantimit MediaTek theksoi se proçesori i ri do të fuqizojë pajisjet midrange që do të vijnë më vonë gjatë këtij viti duke përmirësuar eksperiencën gaming dhe të fotografisë në këto smartphone.
“Seria e MediaTek Dimensity 7200 do të jetë shumë e rëndësishme për entuziastët e lojrave në smartphone dhe ata të fotografive të cilët po kërkojnë për një smartphone me çmim të arsyeshëm me jetëgjatësi të konsiderueshme të baterisë, pa bërë kompromise për performancën.”
Për sa i përket aftësive të fotografisë, Dimensity 7200 është i aftë të mbështesë fotografitë 200MP, të cilat tashmë janë më në trend dhe falë Samsung Galaxy S23 Ultra. Proçesori mundëson gjithashtu shkrepjen e videove 4K si dhe përmirësime të tjera në kamera.