Brazili dhe Argjentina prej kohësh kanë kërkuar të krijojnë lidhje më të ngushta me njëra-tjetrën, duke përfshirë këtu dhe tentativat e fundit për të përdorur një monedhë të përbashkët, siç u bë e ditur nga një deklaratë e përbashkët nga dy presidentët e shteteve respektivë.
Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva dhe lideri argjentinas Alberto Fernandez pritet të diskutojnë akoma më gjerë mbi këtë temë ditën e martë gjatë samitit regjional të liderëve në Amerikën Latine që do të zhvillohet në Buenos Aires.
Samiti i Komunitetit të Amerikës Latine dhe shteteve të Karaibeve zhvillohet me qëllimin për rritjen regjionale ekonomike të këtyre shteteve.
“Ne dëshirojmë t’i tejkalojmë barrierat e monedhave tona, të thjeshtësojmë dhe modernizojmë rregullat si dhe të inkurajojmë përdorimin e monedhave vendase.” tregohet në deklaratën e përbashkët të presidentëve Lula dhe Fernandez. “Ne vendosëm gjithashtu që të vazhdojmë diskutimet e mëtejshme mbi një monedhë të përbashkët në Amerikën e Jugut që do të mund të reduktojë kostot operative dhe cënueshmërinë tonë.”
The Financial Times raporton se Brazili sugjeron përdorimin e emrit “sur” për monedhën e re të përbashkët. Fokusi kryesor i dy shteteve do të jetë se si monedha e re do të ndihmojë në nxitjen e tregtisë rajonale dhe uljen e varësisë nga dollari amerikan.