Rreth 200 persona në Australi u shfaqën në spitale me haluçinacione, pupila të zmadhuara, rrahje të shpeshta të zemrës, gojë të thatë si dhe shikim të turbullt. Pas testimeve të kryera u zbulua se të gjitha këto shenja vinin nga konsumimi i spinaqit i cili gabimisht ishte korrur së bashku me një bimë toksike të quajtur Datura stramonium.
Kjo gjë u zbulua pasi njerëzit nisën të vinin në spitale pasi kishin konsumuar produkte si sallatat që shiteshin nga kompani të ndryshme në rajon. Personat që konsumonin këto ushqime raportonin të njejtat simptoma që u përmendën më lart, madje ndonjëherë nuk ishin të vetëdijshëm se në ç’vend ndodheshin.
Fillimisht autoritetet dyshuan se këto simptoma vinin për shkak të përdorimit të herbicideve ose kimikateve të tjera. Mirëpo pas analizimit të produkteve, investiguesit arritën të zbulonin se furnizuesi kryesor i spinaqit ishte një fermë në Victoria, e cila gabimisht gjatë korrjes së spinaqit kishte marrë me vete dhe bimën toksike. Dallimi i kësaj bime toksike ishte shumë i vështirë pasi që të dyja kanë gjethe me ngjyrë jeshile.
Tashmë që shkaku u identifikua nga autoritetet përkatëse, ka nisur shkatërrimi i të korrave si një masë parandaluese. Ato kanë parandaluar gjithashtu njerëzit që “dëshirojnë t’i sigurojnë këto të korra për qëllime rekreacioni” se konsumimi i kësaj bime mund të jetë vdekjeprurëse.