Ka ende shumë kohë deri në prezantimin e pajisjeve të palosshme nga Samsung (në rast se kompania ruan traditën e përvitshme smartphone-t e palosshëm mund të publikohen në gusht të 2023), megjithatë në internet kanë filluar të qarkullojnë raportime mbi formën e tyre.
Më specifikisht, informacionet janë siguruar për ekranin e brendshëm dhe të jashtëm të Galaxy Z Flip 5. Analisti i ekraneve dhe leaker-i i mirënjohur Ross Young, raportimet e të cilit shumicën e herëve kanë qenë të vërteta, ka treguar se linja Z Flip do të vijë me një ekran të jashtëm më të madh 3 inç. Kjo është një rritje e konsiderueshme nga madhësia 1.9 inç e ekranit të jashtëm që gjendet në Galaxy Z Flip 4.
Është ende e paqartë se për çfarë shërbimi do të shfrytëzohet hapësira ekstra në këtë ekran, por do të vazhdojmë të jemi në pritje të raportimeve të reja.
Për sa i përket ekranit të brendshëm, Ross Young tregon se shenja e palosjes mund të zvogëlohet falë përmirësimit të mekanizmit hapës. Pritet gjithashtu që sistemi i kamerave të përmirësohet në gjeneratën e ardhshme të smartphone-it.