Shkencëtarët kanë arritur të zhvillojnë një leukoplast smart i cili mund të shërojë plagët serioze 25% më shpejt se leukoplastet e zakonshme.
Kjo pajisje fleksibël pa bateri monitoron dëmtimin dhe njëkohësisht bën një trajtim shërues të plagës, sipas publikimit të bërë në revistën Nature Biotechnology. “Nëpërmjet mbylljes së plagës, ky leukoplast mbron ndërkohë që shëron,” tha drejtuesi i studimit Yuanwen Jiang, profesor në Stanford University. “Kjo është një pajisje aktive në shërim e cila mund të transformojë kujdesin standard në trajtimin e plagëve kronike.”
Leukoplasti smart arrin të riparojë indin e dëmtuar duke dërguar stimuj elektrik në lëkurë dhe duke përdorur biosensorët. Ato kanë gjithashtu avantazhin e lidhjes me një smartphone pa nevojën e kabllove.
“Grupi i minjve mbi të cilët ky leukoplast u testua u shëruan 25% më shpejt dhe kishin 50% përmirësim në rimodelimin e lëkurës,” tha Jiang.
Shtresa e brendshme e leukoplastit smart është vetëm 100 mikron e trashë, po aq sa qimet, dhe përfshin një mikrokontrollues, një antenë radio, memorie, stimulus elektrik, biosensorë dhe komponentë të tjerë. Stimulimi elektrik ndihmon në limitimin e infeksioneve bakteriale dhe në riparimin e indit të dëmtuar.
Për më tepër, rritja e qarkullimit të gjakut në këtë zonë gjatë proçesit të shërimit ndihmon në mbylljen e shpejtë të plagës, duke reduktuar kështu dhe shenjat që mbeten nga dëmtimet.