Instagram ka nisur shpërndarjen e një shërbimi të ri brenda aplikacionit për të gjithë përdoruesit profesional. Ky shërbim i ri do të lejojë bizneset dhe krijuesit të planifikojnë publikimin e postimeve të tyre pa patur nevojën për të përdorur aplikacione të palës së tretë apo Creator Studio.
Menaxherët e rrjeteve sociale dhe krijuesit prej shumë kohësh kanë bërë këtë planifikim përmes aplikacioneve të palës së tretë, dhe tashmë që ky shërbim do të ofrohet brenda aplikacionit do ta lehtësojë disi punën e tyre. Lançimi zyrtar vjen disa javë pasi rrjeti social nisi testimin e këtij shërbimi me disa përdorues të përzgjedhur.
Tashmë të gjithë këta përdorues do të kenë mundësinë të planifikojnë publikimin e postimeve, reels dhe carousels në mënyrë direkte brenda aplikacionit deri në 75 ditë më herët. Pasi ju të keni krijuar një postim, ju mund të aksesoni shërbimin e planifikimit përmes klikimit në Advanced Settings > Schedule this post. Më pas ju duhet të përzgjidhni orën dhe datën që dëshironi për të publikuar përmbajtjen tuaj.
Postimet e planifikuara për t’u publikuar do të shfaqen në seksionin “Scheduled Content” që është i aksesueshëm përmes menusë me 3 vija, ku mund të modifikoni orën dhe datën e përzgjedhur.
Nuk dihet ende nëse ky shërbim do të vijë dhe drejt adresave të rregullta në Instagram.