Twitter ka vendosur të rrisë çmimet e abonimit në planin premium. Tashmë abonimi në Twitter Blue do të kushtojë $8 në muaj në SHBA dhe në shtetet e tjera do të përshtatet në bazë të fuqisë blerëse. Ky lajm u bë i ditur nga vetë CEO i ri Elon Musk.
Në të njejtën kohë, Twitter planifikon të shtojë disa përmirësime në këtë kategori. Si një person i abonuar në këtë shërbim, ju do të shikoni shumë më pak reklama dhe do të keni mundësinë të publikoni video dhe audio më të gjata – shërbime të cilat Twitter i kishte testuar para se Musk të blinte kompaninë. Gjithashtu këta persona do të kenë më prioritet në replies, mentions dhe shërbimin e kërkimit në platformë.
Musk tregon se këto veprime janë shumë të nevojshme në planin e tij për të larguar bots nga platforma. “Sistemi aktual i zotërinjve dhe fshatarëve në Twitter që kanë apo jo një verifikim është një budallallëk.” tha Musk.
Twitter’s current lords & peasants system for who has or doesn’t have a blue checkmark is bullshit.
Power to the people! Blue for $8/month.
— Elon Musk (@elonmusk) November 1, 2022
Lajmërimi i sotëm vjen pas disa ditësh spekulime ku besohej se CEO i Tesla dhe SpaceX kishte konsideruar rritjen e çmimit në $20 në muaj për të marrë një verifikim në platformë (së bashku me përmirësimet e tjera).
Të gjithë personat e verifikuar aktualisht në Twitter, në rast se nuk abonohen në Twitter Blue, do të humbin verifikimin e tyre.