Bashkimi Evropian ka aprovuar një tjetër ligj i cili synon të luftojë fenomenin e ndryshimeve klimatike. Ditën e enjte anëtarët treguan se ishin dakord për të mos lejuar shitjen e makinave me djegie të brendshme duke nisur nga 2035.
Negociatorët nga 27 shtetet e ndryshme anëtare të BE mendojnë se duhet të arrihet një ulje prej 100% e emëtimeve të CO2 nga makinat deri në 2035.
“Ky aprovim është një lajm i mirë për drejtuesit e makinave… makinat e reja me zero emëtime do të bëhen më të lira për t’u blerë, duke i bërë ato më të arritshme nga shumë më tepër persona,” tha negociatori drejtues në parlament, Jan Huitema.
Drejtuesi i politikave mbi klimën i BE, Frans Timmermans tha se kjo marrëveshje niste një mesazh të dortë drejt industrisë dhe konsumatorëve. “Evropa po mbështet kalimin drejt lëvizshmërisë me zero emëtime,” tha ai.
Në këtë marrëveshje përfshihet gjithashtu arritja e uljes së emëtimeve të CO2 me 55% për të gjitha makinat e shitura nga 2030, një nivel shumë më i lartë se ai ekzistues që kërkonte një reduktim prej 37.5%.
Me rritjen e presioneve nga rregullatorët, kompanitë e ndryshme kanë hartuar plane të reja për elektrifikimin e këtij tregu. Drejtuesi i Volkswagen, Thomas Schaefer lajmëroi gjatë kësaj jave se kompania do të prodhojë vetëm makina elektrike duke filluar nga 2033.