Një ndër lojtarët më të mirë në historinë e futbollit, Lionel Messi, ka themeluar një kompani të re investimesh e cila do të fokusohet në investimet globale në fushën e sporteve, teknologjisë dhe hapësirave mediatike.
E bazuar në Kaliforni, Play Time Sports-Tech do të shikojë mundësinë e investimit në faza fillestare të startup-eve teknologjike që lidhen me sportet, si dhe është e gatshme të investojë në ekipe të ndryshme. Deri më tani nuk ka asnjë informacion publik në lidhje me madhësinë e fondit.
Përmes një deklarate Messi tha: “Unë jam tepër i kënaqur që të zgjerojmë rrënjët tona në Silicon Valley, dhe jam i emocionuar që Play Time do të bashkëpunojë me sipërmarrës të guximshëm nga e gjithë bota.”
Messi ka grumbulluar një pasuri të konsiderueshme gjatë karrierës së tij futbollistike, si në fushë dhe jasht saj. SportsPro renditi argjentinasin në vendin e 5-të në për sa i përket tregtueshmërisë globale.
Sipas një përllogaritje nga Forbes, pritet që Messi të fitojë $120 milionë gjatë sezonit 2022/2023, duke e bërë atë futbollistin e dytë më të paguar në botë.
Play Time do të drejtohet nga Razmig Hovaghimian, një partner në Graph Ventures, ndërkohë që Michael Marquez do të ketë rolin e këshilluesit special.