Paxos ka bashkëpunuar me TH Koln University of Applied Sciences për të zhvilluar një teknologji të re në formën e tjegullave të cilat mund të përdoren për të gjeneruar elektricitet dhe nxehtësi në të njejtën kohë.
Tjegullat fotovoltaike termike nuk mund të dallohen me sy të lirë nga tjegullat e tjera normale, duke i bërë ato shumë tërheqëse për blerësit. Paxos dhe TH Koln prodhuan një prototip të këtyre tjegullave për t’i testuar ata në temperatura të ndryshme, ecjen mbi to, rezistencën ndaj kushteve ambientale dhe sigurinë e tyre. Ata analizuan dhe xhamin për të zvogëluar humbjet optike përmes reflektimit.
“Falë rregullimeve të ndryshme që ne bëmë në tjegullat aktuale, rendimenti i energjisë është përmirësuar në nivele të konsiderueshme. Sistemi është i gatshëm për t’u përdorur në kushte reale.” shpjegoi Christian Dick, menaxher i projektit në TH Koln.
Një kanal ajri për të ftohur qelizat diellore është integruar në këto tjegulla, duke përmirësuar punën e tyre në mënyrë të ngjashme me ventilimin e pasëm. Rezultatet e marra nga TH Koln tregojnë se tjegullat fotovoltaike mund të kontribuojnë dhe në sistemin e ngrohjes së një ndërtese, duke rritur efiçiencën e këtij sistemi.
“Shumë çati në Gjermani nuk janë përdorur për të gjeneruar energji – ky do të jetë një bllok i rëndësishëm ndërtimi për suksesin e tranzicionit të energjisë.” tha Julian Munzberg, menaxher i projektit në Paxos.