Në vetëm disa ditë NASA do të përplasë me dashje një anije kozmike me një asteroid në shpejtësinë mbi 24,000km/h. Një mision i tillë mund të duket sikur po vjen nga një film fantashkencor, mirëpo gjithçka është shumë e vërtetë.
Sigurisht nga ky testim nuk vjen asnjë rrezik për Tokën, pasi asteroidi ka një trajektore tjetër. Ky është thjesht një eksperimentim, që në rast se rezulton i suksesshëm, mundet që të përdoret në një tjetër rast për të mbrotjur planetin tonë nga një impakt katastrofik nga hapësira.
Double Asteroid Redirection Test (DART) u lançua në nëntor të vitit të kaluar në një mision pothuajse një vjeçar për t’u përplasur me një asteroid të vogël të quajtur Dimorphos, e cila orbiton një tjetër asteroid më të madh Didymos.
Didymos dhe Dimorphos do të jenë në pikën më të afërt me Tokën në fund të këtij muaji në një distancë prej 10.8 milionë kilometrash larg planetit. Në datën 26 shtator NASA do të transmetojë live përplasjen e asteroidit në orën 1:14 në NASA TV dhe në kanalin në YouTube.
DART kushtoi $325 milionë për t’u ndërtuar, dhe si qëllim ka të ngadalësojë Dimorphos dhe të heqë 10 minuta nga koha e orbitimit prej 11 orë dhe 55 minuta e asteroidit. Ndryshimi minimal që do të konsiderohet i suksesshëm për këtë mision do të jetë ngadalësimi qoftë dhe me 73 sekonda.