Nuk është një sekret se Rockstar Games prej vitesh po merret me zhvillimin e lojës pasardhëse në serinë e GTA. Mirëpo për fat të keq për ta, hakerët kanë arritur të vjedhin disa përmbajtje në formën e videove që besohet se i përkasin Grand Theft Auto VI dhe më pas i kanë publikuar ato në internet.
Videot e bëra leak tashmë kanë nisur të qarkullojnë në YouTube, Twitter, Reddit dhe shumë forume të ndryshme online. Ekziston një dokument me madhësi 3GB brenda të cilit gjenden rreth 90 video të gameplay të GTA VI. Bloomberg raportoi më herët gjatë këtij viti se në këtë lojë do të përfshihet dhe një protagoniste femër, gjë që është verifikuar përmes videove të bëra leak.
Protagonistja femër, me emrin Lucia mund të shihet duke grabitur një restorant dhe duke marrë pengje. Një tjetër klip tregon një karakter tjetër në trenin “Vice Vity Metro”, i cili vërteton raportimet se loja pritet të zhvillohet në një version të trilluar të Miami, njësoj si GTA: Vice City.
Ditën e hënë Rockstar Games konfirmoi publikimin e të dhënave nga GTA VI, duke thënë se janë tmerrësisht të zhgënjyer nga ky incident.
“Kohët e fundit ne jemi përballur me një ndërhyrje në rrjet nga ku pala e tretë e paautorizuar ka arritur të aksesojë dhe të shkarkojë informacione konfidenciale nga sistemet tona, duke përfshirë këtu përmbajtje të fazave fillestare nga “Grand Theft Auto” i ardhshëm.” shkruan kompania.