WhatsApp ka nisur të ofrojë një shërbim të ri i cili fsheh “last seen” tuaj nga kontakte specifike, por jo vetëm. Së shpejti ju do të mund të dilni nga grupet që jeni të përfshirë “pa bërë zhurmë” duke mos i njoftuar përdoruesit.
Dhjetorin e kaluar, WhatsApp nisi të fshihte statusin online të përdoruesve nga personat e panjohur për të gjithë përdoruesit. Megjithatë ky shërbim nuk i pengon kontaktet tuaja të shikojnë se kur ju jeni online. WhatsApp pretendon t’i japë zgjidhje këtij problemi përmes update-it të ardhshëm, pasi ju mund të zgjidhni se cilët nga kontaktet do të kenë mundësinë të shikojnë statusin tuaj online.
Nëse ju nuk dëshironi që një person të shikojë se kur ju keni qenë online për herë të fundit mjafton të aktivizoni shërbimin për atë person, dhe me shumë mundësi ato nuk do ta marrin vesh asnjëherë ndryshimin.
Gjithashtu WhatsApp do të bëjë të mundur që ju të largoheni nga grupet në qetësi të plotë. Aktualisht, aplikacioni njofton çdo përdorues që është pjesë e grupit për daljen tuaj, gjë e cila mund të tërheqë vëmendjen e disa personave që do t’ju pyesin në privat se përse u larguat nga ky grup.
Këto shërbime do të aktivizohen gjatë këtij muaji në WhatsApp, së bashku me një tjetër shërbim ku do të bëhet e pamundur për të bërë screenshot mesazhet “view once”.