Instagram ka vendosur të bëjë një hap pas në ndryshimet e fundit pas shumë kritikave të lindura në rrjetin social, përfshirë këtu dhe personi i 2-të më i ndjekur në platformë, Kim Kardashian dhe motra e saj Kylie Jenner.
Një version testues i aplikacionit që e shndërronte Instagram në një format të ngjashëm me TikTok, ku fillimisht do të shfaqeshin vetëm fotografi dhe video full-screen, nuk do të jetë më i pranishëm pas dy javësh, dhe Instagram do të ulë gjithashtu numrin e postimeve të rekomanduara duke ndërhyrë kështu në algoritmin e tij.
“Jam tepër krenar që ne e ndërmorrëm këtë risk – nëse ne nuk rrëzohemi një herë, nuk po mendojmë me guximin dhe madhësinë e duhur.” tha drejtuesi i Instagram Adam Mosseri në një intervistë. “Megjithatë neve na duhet të bëjmë një hap mbrapa dhe të rigrupohemi, kur të kemi mësuar mjaftueshëm, do të rikthehemi me disa ide të reja dhe inovative.”
Ridizenjimet zakonisht ngjallin zemërimin e personave që nuk e pëlqejnë ndryshimin, mirëpo në këtë rast pakënaqësia u pranua dhe nga vetë Mosseri.
“Me dizajnin e ri, njerëzit ishin të frustruar, dhe të dhënat e përdorimit që ne shikonim e tregonin një gjë të tillë. Prandaj unë mendoj se do të na duhet të bëjmë një hap pas, të rigrupohemi dhe të zbulojmë mënyrën se si duhet të vazhdojmë përpara.” shtoi drejtuesi i Instagram.