Snapchat ishte aplikacioni i parë që erdhi me idenë e publikimit të Stories – një format me fotografi dhe video të shkurtra që zhdukeshin automatikisht pas 24 orësh. Kjo ide u pëlqye shumë dhe u kopjua nga të gjitha rrjetet e tjera sociale, duke përfshirë këtu dhe WhatsApp.
Tashmë WhatsApp dëshiron që në seksionin Status përdoruesit të kenë mundësinë të publikojnë dhe mesazhe të ndryshme zanore përveç fotove, videove të shkurtra, GIFs apo mesazheve të shkruajtura.
Këto informacione u bënë të ditura nga publikimi më i ri i WABetaInfo, të cilët treguan përmes një screenshot se si pritet të duket shërbimi i ri. Kur ky shërbim të jetë i disponueshmëm për të gjithë përdoruesit, në seksionin Status do të shfaqet një opsion i ri me ikonën e mikrofonit, i cili do t’ju lejojë të regjistroni një mesazh zanor në mënyrë të ngjashme me chats.
Këtu mundet të përfshihet dhe mundësia e shpërndarjes së dokumenteve audio ekzistuese në smartphone-in tuaj. Më pas, njësoj si të gjithë statuset e tjera, miqtë tuaj do të kenë mundësinë të shikojnë këtë status.
WhatsApp nuk është aplikacioni i vetëm që po mundohet të përfshijë në platformë shpërndarjen e mesazheve zanore, pasi para pak kohësh dhe Twitter ka testuar një shërbim që i lejonte përdoruesit të shpërndanin tweets zanore.