Platforma e videove të shkurtra, TikTok po përballet me shumë kritika pasi u kuptua se të dhënat e qytetarëve nga SHBA po shpërndaheshin me qeverinë kineze.
Për të harruar disi këtë skandal, TikTok prezantoi ditën e mërkurë shërbimin “Content Levels”, që do të ndihmojë në mbrojtjen e përdoruesve në moshë të vogël nga përmbajtjet që nuk janë të përshtatshme për moshën e tyre.
Një vlerësim maturiteti do të vendoset në video për të parandaluar të gjithë personat nën 18 vjeç nga shikimi i videove jo të përshtatshme për moshën e tyre.
“Për të fuqizuar akoma më tepër përdoruesit duke personalizuar eksperiencën në platformë, ne po prezantojmë një shërbim të ri i cili do të përdoret nga njerëzit për të filtruar video ose hashtags që ato nuk duan të shikojnë.” tha Cormac Keenan, drejtues i Sigurisë dhe Besimit në TikTok.
“Si rezultat i testimeve tona të këtij shërbimi në SHBA, ne kemi përmirësuar eksperiencën e shikueshmërisë për përdoruesit, të cilët tashmë shikojnë më pak video rreth temave që kanë përzgjedhur.” shtoi ai.
Megjithatë TikTok nuk do të shpëtojë lehtë nga skandali i shpërndarjes së të dhënave, pasi senatorët e SHBA kanë kërkuar që drejtuesi i FTC të investigojë këtë rast.