Bashkë-drejtuesi i Netflix, Ted Sarandos, ka konfirmuar se kompania ka në plan të prezantojë një kategori të re abonimi që përmban reklama në platformën që ai drejton. Kjo gjë u bë e ditur gjatë një interviste në festivalin Cannes Lions.
“Ne kemi lënë jashtë një segment të madh klientësh të cilët thonë: ‘Netflix është shumë i shtrenjtë për mua dhe unë nuk i kam problem disa reklama’. Ne do të shtojmë një kategori të re abonimi me reklama, pra nuk do të shtojmë reklama në Netflix që ju njihni sot.”
Shumë raportime të ndryshme disa muaj më parë kanë raportuar se Netflix kishte nisur punën për të krijuar një plan të ri abonimi, i cili do të ulte pagesën mujore të të abonuarve nëse ato do të ishin dakord të shikonin disa reklama.
Ky plan i ri vjen disa muaj pasi kompania lajmëroi se numri i personave të abonuar ka rënë për herë të parë përgjatë një dekade, me 200,000 të tillë. Megjithatë Netflix mbetet shërbimi më i madh streaming në botë, me më tepër se 222 milionë të abonuar.
Tashmë pyetja që po qarkullon është se me cilën kompania reklamash Netflix do të bashkëpunojë. Më herët gjatë këtij muaji Wall Street Hournal raportoi se NBCUniversal dhe Google ishin dy ndër kandidatët kryesorë.