Shkencëtarët nga University of Copenhagen kanë zbuluar një lloj të ri substance tepër reaktive në atmosferën e Tokës, e cila mund të paraqesë një kërcënim për shëndetin e njerëzve dhe klimën globale.
Ata demonstruan se trioksidet – përbërje kimike me tre atome oksigjeni të lidhura me njëra-tjetrën – formohen në kushte të caktuara atmosferike. Trioksidet janë akoma më reaktivë se peroksidet të cilët kanë 2 atome oksigjeni të lidhur, duke i bërë ato akoma më eksplozivë dhe të djegshëm.
“Kjo lloj përbërje që ne kemi zbuluar është unike në struktruën e saj. Ajo është tepër oksiduese, dhe për këtë arsye mund të sjellë një numër të shumtë efektesh që ne duhet t’i zbulojmë.” tha profesori Henrik Grum Kjærgaard.
Studiuesit përllogarisin se përqëndrimet e hidrotrioksideve në atmosferë mund të jenë përafërsisht 10 milionë për cm3, dhe se ato kanë aftësinë për t’u futur brenda grimcave të ajrit, duke shfaqur kështu probleme të rëndësishme për shëndetin dhe mund të çojnë në sëmundje respiratore dhe kardiovaskulare. “Është e lehtë të imagjinohet se ky kimikat mund të jetë i dëmshëm nëse thithet nëpërmjet rrugëve të ajrit. Mirëpo na nevojitet një investigim tjetër për të adresuar të gjitha efektet e dëmshme shëndetësore.”
Nga ana tjetër, hidrotrioksidet ndikojnë dhe në numrin e aerozolëve të prodhuar. Drita e diellit reflektohet dhe përthitet nga aerosolët, dhe përmes reduktimit të tyre mund të kemi një impakt në balancën e nxehtësisë së Tokës, duke përkeqësuar ngrohjen globale.