Pas lajmit se bordi drejtues i Twitter ka pranuar ofertën $44 miliardë të Elon Musk, kanë qenë të shumtë personat që kanë reaguar.
Qëllimi i Elon për Twitter ishte të “lironte” disi moderimin e përmbajtjeve në platformë, mirëpo kjo gjë nuk do të jetë vetëm në dorë të tij. Komisioneri i tregut të brendshëm në Bashkimin Evropian, Thierry Breton tregoi në një intervistë për The Financial Times se dhe pse pronësia e Twitter ka ndryshuar, platforma do të duhet t’i përshtatet rregullave të vendosura nga BE, duke përfshirë këtu dhe Digital Services Act i cili sapo u miratua. Një ndër qëllimet e këtij legjislacioni është dhe luftimi i keqinformimit.
“Ne i mirëpresim të gjithë. Ne jemi të hapur, por brenda kushteve tona. Ti je i mirëpritur, por këto janë kushtet tona.” tha Breton.
Digital Services Act do të kërkojë nga Twitter dhe të gjitha kompanitë e tjera teknologjike të tregojnë se si po shmangin deklaratat e rreme në platformat e tyre. Gjithashtu do të kërkohet nga këto kompani dhe shpërndarja e të dhënave me studiuesit. Çdo kompani që refuzon të ndjekë këto rregulla do të përballet me gjoba të majme, deri në 6% të fitimit të tyre vjetor.
Nuk është ende e qartë se si Musk do të veprojë pas këtij paralajmërimi.