Raportimet dhe leaks rreth serisë së re të iPhone-ve kanë nisur tashmë të bëhen më të rregullta. Gjatë ditëve të fundit në internet po qarkullon një fotografi që tregon pamjen e jashtme që do të kenë të gjitha pajisjet e serisë iPhone 14, dhe ajo që mund të vihet re menjëherë është mungesa e modelit mini, ndërkohë që madhësia e lenteve mbetet e pandryshuar nga seria e mëparshme.
Fotoja e mëposhtme është publikuar nga një përdorues në Weibo, ku duken qartë dy modele me madhësi ekrani 6.7” dhe dy modele me madhësi 6.1”. Modelet jo Pro pritet të jenë iPhone 14 dhe iPhone 14 Max, ndërkohë që modelet Pro do të ruajnë të njejtin emërtim. Për sa i përket orientimit të lenteve, gjithçka duket e njejtë si në modelet normale (vendosje diagonale) dhe në ato Pro.
Përdoruesi i Weibo tregon gjithashtu se “iPhone 14 Pro dhe 14 Pro Max do të përfshijnë një dizajn të ri në pjesën e notch-it, ndërkohë që iPhone 14 dhe iPhone 14 Max do të vijnë me notch-in klasik.”
Për sa i përket kamerave të pasme, analisti Ming-Chi Kuo thotë se iPhone 14 Pro dhe iPhone 14 Pro Max do të përdorin një sensor 48MP. Mirëpo dhe pse sensori do të jetë 48MP, smartphone-i do të shkrepë foto 12MP, por me detaje shumë më të mira dhe më pak paqartësi.