Mëngjesin e ditës së shtunë shërbimi i ndërtimit është rikthyer në Fortnite. Ky shërbim ishte eleminuar në mënyrë të përkohshme si pjesë e sezonit më të ri të lojës që u lançua në datën 20 mars.
Megjithatë dhe pse ndërtimi është rikthyer, në lojë do të ekzistojë dhe modaliteti i veçantë i fokusuar në luftimin e drejtpërdrejtë i quajtur Zero Build. Për momentin, të dy versionet e lojës do të renditen krah njëra tjetrës dhe do t’i japin lojtarëve mundësinë e zgjedhjes.
Aftësia për të marrë materiale të ndryshme dhe për të ndërtuar struktura mbrojtëse ka qenë dhe mbetet një ndër tiparet e veçanta të Fortnite, e cila e diferencon lojën nga titujt e tjerë si PUBG apo Apex Legends.
Mungesa e shërbimit të ndërtimit u kompensua disi nga shtimi i disa mekanizmave të dizenjuara për të rritur shpejtësinë e lëvizjes dhe aftësitë e ngjitjes.
Me lançimin e sezonit të ri, zhvilluesi i Fortnite, Epic Games ka vendosur që të dhurojë të gjitha fitimet e lojës deri në datën 3 prill drejt Ukrainës. Deri më tani, kjo përpjekje ka grumbulluar më tepër se $100 milionë.