Pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë ka bërë që shumë kompani nga e gjithë bota të nisin sanksionet ndaj këtij shteti. Google është një ndër këto kompani, e cila ka vendosur të ndalojë përdorimin e Google Play Store dhe marrjen e pagesave të YouTube në Rusi.
Megjithatë Reuters ka raportuar se një organizatë e përbërë nga zhvillues të ndryshëm rusë kanë deklaruar se ato po krijojnë një aplikacion zëvëndësues të Play Store i cili do të quhet NashStore (Dyqani Ynë në shqip). Në këtë aplikacion do të bëhet e mundur pagesa me sistemin e banker të kartave Mir, duke lejuar që zhvilluesit të marrin pagesat për aplikacionet e tyre.
“Për fat të keq rusët nuk mund të përdorin më normalisht Google Play për të blerë aplikacione dhe zhvilluesit kanë humbur burimin e tyre të të ardhurave. Prandaj ne kemi krijuar një aplikacion të ri rus të quajtur NashStore.” tha Vladimir Zykov, një përfaqësues i Organizatës së Platformave Dixhitale.
Ky dyqan i ri aplikacionesh do të lançohet në datën 9 maj, e cila përkon gjithashtu me ditën e fitores gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky nuk do të jetë dyqani i parë vendas i aplikacioneve, pasi më parë gjigandi i teknologjisë Yandex ka ofruar Yandex Store si një alternativë.