Boss Fight Entertainment është kompania e 3-të gaming e blerë nga Netflix në vetëm 6 muaj, e cila i bashkohet prodhuesve të tjerë si Next Games dhe Night School Studio.
“Misioni i Boss Fight është që të sjellë eksperienca loje të thjeshta, të bukura dhe argëtuese për përdoruesit kudo që ato dëshirojnë të luajnë.” treguan themeluesit e kompanisë në një deklaratë të postuar në website-in zyrtar të Netflix.
Ata shtuan se angazhimi i Netflix për të ofruar lojëra pa reklama si pjesë e abonimeve në platformë bën të mundur për zhvilluesit e lojrave që të fokusohen më tepër në krijimin e një loje të bukur pa u shqetësuar për monetizimin.
“Ne jemi ende në ditët e para të krijimit të një eksperience të shkëlqyer për lojërat si pjesë e abonimit tuaj në platformë.” tha Amir Rahimi, zëvëndës presidenti i Netflix game studios. “Pëmes partneriteteve me zhvilluesit nga e gjithë bota dhe blerjeve si kjo, ne shpresojmë të krijojmë një studio zhvilluese të nivelit më të lartë që do të sjellë një varietet të gjerë lojrash origjinale, pa reklama apo blerje brenda tyre.”
Netflix ka konfirmuar interesin e saj drejt video lojrave që nga muaji korrik, ku zbuloi se fokusi kryesor janë smartphone-t.