OnePlus 10 Pro ka ardhur me disa specifika flagship, duke përfshirë këtu proçesorin Snapdragon 8 Gen 1 dhe një bateri me kapacitet 5,000mAh, por ne nuk mund të themi dot të njejtën gjë për fortësinë e këtij smartphone-i.
YouTuber-i Zack Nelson publikoi në kanalin e tij JerryRigEverything një video të re ku teston fortësinë e kësaj pajisje, dhe në momentin kur ai provon të përkulë OnePlus 10 Pro, smartphone-i thyhet në mes.
Këtë gjë mund ta shikoni vetë në videon e mëposhtme në minutën 6:57.
Kur Nelson shtyn fillimisht trupin e smartphone-it, xhami i pasëm fillon të kriset, dhe shumica e krisjeve gjendej nën sistemin e kamerave. Kur ai shtyn sërisht në këtë pozicion, këto krisje shndërrohen në një thyerje të plotë, duke bërë që pjesa e sipërme e ekranit të përthyhet.
Thyerja bëhet fiks në nivelin e baterisë, dhe me sa duket vendosja e gabuar e qelizës së baterisë krijon kushtet perfekte për thyerjen e ekranit vetëm përmes përkuljes me duar.
Duhet të theksojmë se shtypja e ushtruar nga Zack e tejkalon një shtypje normale, megjithatë kjo nuk do të thotë se OnePlus 10 nuk ka probleme strukturore, për sa kohë që ka shumë smartphone të tjerë që e kalojnë testin e fortësisë të tij.