Presidenti Donald Trump prezantoi ditën e premte avionin e parë luftarak të gjeneratës së 6-të të Forcave Ajrore të quajtur F-47, një për të cilin Pentagoni tha se do t’i japë avantazh të madh SHBA kundrejt kundërshtarëve. Kompania e cila do të merret me prodhimin e këtyre avionëve luftarakë do të jetë Boeing.
F-47 i sapo prezantuar është zhvilluar në fshehtësi për vite me radhë, pasi Forcat Ajrore testuan në heshtje aeroplanët eksperimentalë ndërsa Boeing dhe Lockheed Martin konkurruan për të siguruar kontratën e prodhimit të tyre.
Trump tha se administrata është “e bindur se i kapërcen masivisht aftësitë e çdo kombi tjetër” dhe se “armiqtë e Amerikës nuk do të dallojnë asnjëherë prezencën e këtij avioni“. David Allvin, shefi i shtabit të Forcave Ajrore tha në njoftim se F-47 do të ishte “xhevahiri i kurorës” i gjeneratës së ardhshme të ushtrisë.

F-47 pritet të zëvendësojë F-22 Raptor, i cili nisi fluturimin e tij të parë në 1997 i prodhuar nga Lockheed Martin. Avioni i ri, për të cilin Trump nuk dha një vlerësim të kostos, duke përmendur shqetësimet e sigurisë operacionale, pritet të fluturojë së bashku me dronët pa ekuipazh.
Në një deklaratë të dërguar me email pas njoftimit të Zyrës Ovale, Allvin tha se Forcat Ajrore kishin fluturuar aeroplanë eksperimentalë për 5 vitet e fundit, duke hedhur themelet për F-47 në një përpjekje për të çimentuar dominimin ajror të SHBA. Ai shtoi se F-47 pritet të futet në veprim gjatë këtyre 4 viteve dhe se do të kushtojë më pak se F-22.
“Me F-47, ne nuk po ndërtojmë vetëm një tjetër luftëtar – ne po formojmë të ardhmen e luftës dhe po i vëmë në dijeni armiqtë tanë,” tha Allvin në deklaratë. “Kjo platformë do të jetë më e avancuar, më vdekjeprurëse dhe e adaptueshme e zhvilluar ndonjëherë – e projektuar për të kapërcyer, manovruar dhe tejkaluar çdo kundërshtar që guxon të sfidojë avionët tanë të guximshëm.”
Trump tha se versionet e F-47 mund t’u shiten aleatëve, megjithëse ai shtoi se ata avionë do të nuk do të kenë kapacitet të plotë sepse “një ditë ndoshta ata nuk janë më aleatët tanë“.