Studiuesit nga SHBA kanë treguar se në Korenë e Veriut janë rreth 7 milionë qytetarë të cilët përdorin celularët e tyre dhe rrjetin e Wi-Fi çdo ditë. Kjo është një rritje e konsiderueshme gjatë viteve të fundit, dhe pajisjet celulare janë shndërruar kështu në qendër të aktivitetit tregtar të shtetit të izoluar.
Që nga ofrimi i teknologjisë 3G në vitin 2008, numri i përdoruesve të celularëve është rritur deri në 6.5 – 7 milionë, më tepër se çereku i popullsisë totale të Koresë së Veriut prej 25 milionë personash, sipas studiuesve.
“Më tepër se 90% e njerëzve që morën pjesë në sondazh raportuan se e përdornin smartphone-in e tyre çdo ditë, kryesisht për të kryer telefonata midis anëtarëve të familjes dhe tregtarëve.” tha Natalia Slavaney, drejtuese e programit 38 North të Stimson Center.
Studiuesit shfaqën një hartë mbulimi të rrjetit celular të Koresë së Veriut duke u bazuar në pamjet e siguruara nga satelitët që identifikonin stacionet bazë dhe antenat shpërndarëse. U vu re se rrjeti celular nuk ishte i shtrirë vetëm në zonat e avancuara, por dhe thellë në zonat rurale.
“Rrjeti cellular po zgjerohet dita-ditës, ndonjëherë ne po gjejmë stacione të reja në zona ku 2 vite më parë nuk ka patur as antena.” tha Martyn Williams.
Rrjetet Wi-Fi në Korenë e Veriut nuk ofrojnë akses në internet por mundësojnë ndërlidhjen e shërbimeve të brendshme, kryesisht në databazat shkencore dhe studimeve në komunitet.