Është një enigmë që mund të mbajë shumicën e njerëzve të argëtuar për orë të tëra. Por kubi Rubik është shumë i lehtë për t’u zgjidhur për një robot, i cili ka thyer zyrtarisht Rekordin Botëror Guinness për robotin më të shpejtë në zgjidhjen e këtij kubi.
Roboti arriti të përshtaste të gjitha ngjyrat në vetëm 0,305 sekonda – prandaj sigurohuni të mos i mbyllni sytë për asnjë moment gjatë videos. Kjo kohë është rreth 10 herë më shpejt se ajo e regjistruar nga njeriu më i shpejtë, i cili është në gjendje të zgjidhë kubin Rubik në 3,13 sekonda.
Prej shumë vitesh kanë ekzistuar robotë të tillë që tentonin të zgjidhnin sa më shpejt kubin Rubik. Në vitin 2009, rekordi ishte një minutë e katër sekonda, por gradualisht është bërë më i shkurtër me kalimin e viteve. Në vitin 2016, rekordi më në fund theu barrierën e një sekonde. Tani, një ekip inxhinierësh në Mitsubishi Electric Corporation e kanë përmirësuar këtë kohë, pasi kanë vendosur një rekord të ri mbresëlënës.
“Kam kontrolluar videot e mbajtësit të mëparshëm rekord dhe ndjeva se motori që ne kemi është më i mirë se i tyre,” tha Tokui, i cili drejtoi përpjekjen për rekord. “Kështu që unë isha i sigurt se ne mund ta mposhtim atë shpejtësi.”
Gjatë procesit të testimit, ekipi hasi në një problem të papritur – kubi nuk arriti dot të përballonte shpejtësinë e motorit. Fatmirësisht, me disa rregullime, ekipi ishte në gjendje ta zgjidhte problemin dhe e vendosi rekordin herën e dytë.