Boston Dynamics prezantoi në CES në Las Vegas versionin më të fundit të robotit humanoid Atlas, një hap i madh drejt kalimit nga platformë kërkimore në produkt komercial. Roboti i ri është plotësisht elektrik, funksionon me bateri, ka nyje që rrotullohen 360 gradë dhe një dizajn futurist me “fytyrë” në formë rrethi ndriçues. Sipas Boston Dynamics dhe kompanisë mëmë Hyundai, Atlas është aq i avancuar sa pritet të punojë së shpejti krah për krah me punëtorët njerëzorë në fabrika.
Hyundai planifikon ta prodhojë Atlas në shkallë të gjerë si “robot humanoid gati për prodhim”, duke nisur nga fabrikat e saj të makinave, fillimisht në Metaplant në Savannah, Georgia. Kompania synon të prodhojë rreth 30,000 robotë në vit duke filluar nga 2028. Fillimisht, Atlas do të përdoret për procese me përfitime të qarta sigurie dhe cilësie, si renditja e pjesëve, ndërsa deri në vitin 2030 pritet të kryejë detyra më komplekse që përfshijnë lëvizje të përsëritura dhe ngarkesa të rënda.
Versioni komercial i Atlas do të jetë rezistent ndaj ujit, do të funksionojë në temperatura nga -20 deri në 40 gradë Celsius, do të ketë duar me ndjeshmëri taktile dhe aftësi për të ndërruar vetë bateritë për përdorim të vazhdueshëm gjatë gjithë ditës. Roboti mund të ngrejë deri në 50 kilogramë dhe të mësojë shumicën e detyrave brenda një dite.

Boston Dynamics, e themeluar në 1992 është bërë e famshme për robotët e saj viralë si Atlas dhe Spot, megjithëse prej vitesh ka operuar me humbje financiare. Hyundai e bleu kompaninë në vitin 2021 për 1.1 miliardë dollarë dhe beson se zinxhiri i saj i furnizimit, kapacitetet prodhuese dhe bashkëpunimet me kompani si Google DeepMind dhe Nvidia do t’i japin avantazh në shkallëzim dhe ulje kostosh.

