OpenAI është i shqetësuar se njerëzit mund të fillojnë të përdorin shumë ChatGPT për shoqëri, duke çuar potencialisht në “varësi“, për shkak të modalitetit të ri të komunikimit zanor.
Ky zbulim u bë në një raportim nga OpenAI mbi rishikimin e sigurisë që ajo kreu për shërbimin e inteligjencës artificiale – i cili filloi të shpërndahej te përdoruesit e abonuar javën e kaluar. Modaliteti i avancuar i komunikimit zanor i ChatGPT tingëllon jashtëzakonisht real.
Ai përgjigjet në kohë reale dhe mund të përshtatet me kërkesat e reja kur ndërpritet. Mund të gjykojë gjithashtu gjendjen emocionale të folësit bazuar në tonin e zërit të tij. Brenda disa minutave pasi OpenAI shpalli funksionin në një event në fillim të këtij viti, ai po krahasohej me asistentin dixhital të AI në filmin “Her” të vitit 2013, me të cilin protagonisti bie në dashuri, vetëm për t’u mbetur zemërthyer kur sistemi i inteligjencës artificiale pranon se “ajo” gjithashtu ka marrëdhënie me qindra përdorues të tjerë.
Tani, OpenAI me sa duket është i shqetësuar se historia imagjinare mund të bëhet realitet, pasi thotë se vëzhgoi përdoruesit që flisnin me modalitetin e zërit të ChatGPT “duke shprehur lidhje të përbashkëta me mjetin”.
Përfundimisht, “përdoruesit mund të krijojnë marrëdhënie shoqërore me AI, duke reduktuar nevojën e tyre për ndërveprim njerëzor”, thuhet në raport. Në të shtohet se dëgjimi i informacionit nga një robot që tingëllon si një njeri mund t’i bëjë përdoruesit t’i besojnë mjetit më shumë seç duhet, duke pasur parasysh prirjen e AI për të dhënë informacione të gabuara.