OpenAI duket se nuk është e kënaqur vetëm me krijimin e modeleve të mëdha gjuhësore dhe AI gjenerues, pasi dëshiron të krijojë dhe një hardware mbështetës.
The Information raportoi këtë javë se ish-dizenjuesi i njohur i produkteve të Apple, Jony Ive është në bisedime me CEO-n e OpenAI, Sam Altman, për të marrë pjesë në një projekt për krijimin e një hardware-i mbështetës të AI.
Përpjekja për të krijuar një hardware e OpenAI është ende në fazat më të hershme, sipas informacioneve të tanishme. Altman dhe Ive sapo kanë filluar të diskutojnë se çfarë mund të krijojnë apo tregun ku synojnë të futen. Natyrisht, reputacioni i Ive na bën shumë kurioz rreth këtij projekti.
Ish-shefi i dizajnit të Apple ka marrë pjesë në krijimin e produkteve të ndryshme që nga largimi nga Apple në 2019, duke përfshirë një gramafon $60,000 nga kompania Linn dhe një logo për kornizën Astra Carta të Mbretit Charles III.
Por hardware-i është një biznes i ndërlikuar. OpenAI e di mirë këtë. OpenAI dikur drejtonte një divizion kërkimi robotik, i cili eksploronte mënyrat se si makinat mund të mësojnë të kryejnë detyra komplekse si zgjidhja e një kubi Rubik. Por ky ekip u shpërbë në korrik të 2021 pasi u përball me pengesa kryesore teknike – dhe me sa duket tejkalime të kostove.
OpenAI është në gjendje të investojë para, megjithatë, pasi u tha investitorëve se pret të arrijë $1 miliard të ardhura këtë vit. Startup-i i AI, më i njohur për chatbot-in e tij viral, ChatGPT dhe sistemin e gjenerimit të tekstit GPT-4, ka një kapital total prej $11.3 miliardë.